Skip to main content

Vepra e Gjergj Fishtes e ri zbuluar



Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, e përbërë nga 15612 vargje, të organizuara në tridhjetë njësi të veçanta, të cilat autori i quan kangë, përshkohet tejembanë nga rima si element i qartë dhe i theksueshëm i strukurës artistike të saj. Vështrimi i funksionit të rimës ndaras nga ritmi, nga intonacioni dhe nga eufonia e vargut, sikundër veprohet kësaj radhe në këtë kumtesë, mund të bëhet vetëm kushtimisht, sepse këto elemente të strukturës artistike të tekstit poetik janë gjithnjë të mpleksura, duke futur në trupin e njësisë ritmike vazhdimisht skemat e ndryshme të përsëritshmërive, kundërshtitë dhe plotësimet e tyre, të cilat janë fijet e semantikës poetike dhe të përjetimit estetik të tekstit. Në veprën Lahuta e malcis, rima është një element më fort i identifikueshëm dhe më veprues në konstruksionin artistik dhe semantik të saj, prandaj, kujtojmë se funksioni i saj mund të bëhet objekt analize dhe vlerësimi, pa cënuar integritetin e elementeve të tjerë artistikë.

Aplikimi i rimës në këtë vepër poetike kaq voluminoze, e ka të deshifrueshëm fillim e mbarim synimin e autorit që ta bëjë sa më funksional monumentalitetin artistik të kryeveprës së vet. Monumentalitetit të Lahutës së malcis në planin e tematikës, në planin e ideve, në planin e ndërtimit dhe të funksionimit estetik, i përgjigjet edhe përfundimi kumbues i vargut dhe koncentrimi jashtëzakonisht i madh i kuptimeve poetike në vargjet e rimuara.

Ndoshta nuk duhet përkujtuar se rima përveç funksionit tingullor, ka funksion semantik, i cili është edhe funksioni parësor i saj, sepse sikundër na e pohon Lotman, në artin, i cili e përdor gjuhën si material, është e pamundur të ndahet tingulli nga kuptimi*. Po ky autor thotë se tingullimi muzikal i rimës është prodhim jo vetëm i fonetikës por edhe i semantikës së fjalës, punë që shihet qartë në rastet e rimave homonimike dhe të rimave tautologjike, ku këto të dytat karakterizohen edhe nga varfëria tingullore në krahasim me të parat.

Gjergj Fishta e krijoi Lahutën e malcis me aspiratën krijuese që t'u dhuronte bashkëkombasve të tij një vepër që do të ishte burim i pashterrshëm i atdhedashurisë dhe i mbrojtjes së identitetit kombëtar, të integritetit kulturor e moral dhe të lirisë kombëtare si shkalla supreme e realizimit të jetës së kombit.

Përderisa në planin qytetar e njerëzor ai u udhëhoq nga dashuria e madhe për atdheun, për gjuhën dhe për kombin, në planin krijues ai u udhëhoq nga frymëzimi i fuqishëm, çka shqiptohet qartë në vargjet:

" se pa ty, besa, moj Zanë,/vështirë se' i fjalë un mujë m'e thanë"* .

E frymëzuar nga provinienca e zanws sw malit, vepra s'ka si të mos e synojë plotninë dhe përsosmërinë. Shqiptimi sa më i fortë i ideve atdhetare dhe modelimi sa më i bukur artistik i tyre, janë dy koordinatat ku shpaloset dhe ku rrezaton aspirata krijuese e Fishtës, e shqiptuar përjetësisht në veprën Lahuta e malcis.

Funksioni i rimës si element i strukturës tërësore artistike, në këtë kontekst, fiton legjitimitetin konceptual dhe estetik. Rima në veprën Lahuta e malcis është përdorur në kombinime të ndryshme dhe kjo është bërë për të rritur larminë tingullore e semantike dhe për të evituar rrezikun e automatizmit. Nga vështrimi tërësor i kombinimeve të saj, shihet se dominon rima e puthur. Ky kombinim aplikohet në vargjet ku zhvillohet naracioni poetik, pra, ku spikat më shumë paraqitja e aksioneve, e veprimeve të heronjve të veprës. Rima e puthur jep mundësi më të madhe të zhvillohet ligjërimi poetik pa ndërhyrje dhe pa komente, të cilat vërehen më shumë aty ku aplikohet rima e alternuar. Në aplikimin e rimës së puthur, vërehen afri të vargut të Lahutës së malcis me modelin e këngës popullore historike, e cila kryesisht është e krijuar në tetërrokësh dhe kryesisht në rima të puthura. Vetë lënda që trajtohet në veprën Lahuta e malcis, (e marrë nga historia e re shqiptare për të cilën janë krijuar një numër i madh këngësh popullore historike) dhe synimi i autorit që vepra e tij të komunikojë e të ndikojë në sa më shumë recepientë (lexues e dëgjues), e ka kërkuar aplikimin e rimës së puthur në pjesën më të madhe të veprës. Edhe fillimi i saj është në këtë skemë:

Ndihmo, Zot, si m' ke ndihmue!

Pesëqind vjet kishin kalue

çëse të buk' rën ketë Shqipni

Turku e mbate në robni*

Fishta bën ndërrime të shpeshta të rimave femërore e mashkullore në rastet e rimave të puthura dhe ka një arsenal jashtëzakonisht të pasur leksikor që parakalon në pozicion fundor të vargjeve. Duke qenë bazamenti tematik i veprës gjakimi i lirisë kombëtare dhe flijimi për pavarësinë e atdheut në luftëra me armiqtë, është e qartë se shqiptohet përplasja e ashpër ndërmjet idealit të lirisë (flijimit për të) dhe realitetit të ashpër jetësor e historik. Këtë vijë të përgjithshme e shquan edhe rima. Fjalët e gjendura në pozicion rime, kur janë të tilla që si fenomene gjuhësore nuk kanë lidhje ndërmjet tyre, pra, semantikisht janë divergjente, ato në varg krijojnë rreze më të madhe semantike, sepse shpalosin hapësira të reja, herë jashtëtekstore, herë tekstore, po gjithnjë me mundësi më të mëdha të përjetimit estetik. Ja një shembull:

un Shqiptar ata janë Shkje:

ne na danë nji gjak e' i fe;

n'mëni t'sho'shoqit kemi le:

kemë ndërmjet nji qiellë e'i dhe!...*

Emërtimi i identiteve nacionale të veçanta, më tej evidencimi i dallimeve dhe konstatimi i papajtueshmnërisë supreme, fiksohen edhe në fjalët që rimohen:/Shkje; fe; le; dhe/, të cilat si fenomene gjuhësore janë divergjente por në këto vargje krijojnë një tërësi tingullore e semantike jashtëzakonisht të fuqishme.

Rimat si: vëllau/Shkjau, mizore/gratçore, Vranina/Cetina, Shqiptarit/Gospodarit, tagana/nana, rrfesë/kresë, rreziku/miku, Shqipni/Turki, t'zi/liri,etj, korelacionin semantik e krijojnë në ballafaqim të ndryshimeve kuptimore që kanë në sferën e gjuhës konvencionale fjalët që rimohen. Mirëpo, ligjërimi poetik që synon përshkrimet sa më të detajuara, s'ka si të evitojë edhe krijimin e rimave nga fjalë që semantikisht janë mjaft konvergjente si bie fjala: vetimë/bubullimë, Kosovë/Gjakovë, nama/gjama, robni/zi, vorrue/pushue, shkretë/mbetë, Xhemjetit/Mbretit, etj. Një balansim i këtyre rrymimeve është tipar i dallueshëm në të gjithë Lahutën e malcis.

Në raste më të rralla rima e puthur shndërrohet në rimë-kolonë ,duke unifikuar ritmin dhe kuptimin poetik, ndonjëherë deri në kufirin ku nxjerrë krye mundësia e parashikimit të zhvillimit të rimës. Për shembull:

Hej, moj Zanë,ty t'kjosha true,

si s'po t'bjen ndër mend për mue,

punë të hershme me m'kumtue,

kangë e valle me m'fillue;

por më rrin tue fluturue

mollë më mollë e ftue në ftue

me ato shoqe tue këndue,

me ato shoqe tue vallzue,

tue vallzue, moj, tue lodrue*

Rima e alternuar aplikohet më rrallë, por duke pasur parasysh vëllimin e Lahutës së malcis, ajo kap një numër shumë të madh vargjesh. Përveç në funksion të evitimit të automatizmit, rima e alternuar është esencialisht në funksion të nuancimit të ndjenjave, të ideve dhe të qëndrimit të subjektit krijues. Ja një shembull që është krejt emblematik në favor të këtij konstatimi:

Po a kujton, mori gabele,

se Shqiptarët kanë dalun fare,

qi me ardhë Knjazi, me' i kalë zhele,

për t'sunduem mbi tokë shqiptare?*

Konflikti i shqiptarëve dhe i malazezve është përplasur edhe ndërmjet zanave. Zana shqiptare e Vizitorit e mund Zanën malazeze të Durmitorit (kjo na kujton përplasjen ndërmjet perëndive të Olimpit gjatë luftës ndërmjet akejve e trojanëve) dhe Fishta shqipton fjalët e Zanës shqiptare në atë konflikt me emocionet, me ironinë dhe me krenarinë e tij transparente.

Ia vlen të përmendet këtu se në vëllimin Mrizi i zanave, rima e alternuar ka aplikim shumë më të gjerë si në poezitë: Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheut, 28 Nanduer 1913, Nji gjamë desprimit, Gurrave të Jordanit (ku përdoret strofa safike), etj.,çka edhe vërteton afinitetin e autorit për këtë skemë në rastet e theksimit të ndjenjave, ideve dhe qëndrimeve të tij.

Nga vështrimi tërësor (megjithëse jo statistikor) i rimarit të Lahutës së malcis, shohim se në pozicion të fjalëve të rimuara më me shumicë janë fjalët emra. Fishta është poet epik që e shtrin ligjërimin e vet në gjerësi dhe që di të theksojë emra heronjsh, toponime, dukuri, të cilat duke u vënë në pozicion ku krijojnë korelacione me fjalë të tjera, theksohen më shumë dhe bëhen qendra të theksimit të ideve e të kuptimeve poetike. Theksimi i emrave të heronjve dhe veprimeve të tyre me ndikesë në fatet njerëzore po edhe të natyrës, i jep kumbim dhe dramacitet vargut poetik. Për shembull:

pse me gjasë, ke dridhet suka,

asht tue ardhë tash Oso Kuka.*

Rimari i Lahutës së malcis është jashtëzakonisht i pasur dhe e shpalos individualitetin dhe origjinalitetin e veprës dhe të autorit. Ka çifte fjalësh që përsëriten në pozicionime rimash nga disa herë dhe në kontekste të ndryshme, duke na dhënë dorë të hetojmë veçantinë e gjuhës poetike të Fishtës në nivelin leksikor dhe figurativ. Fjalët dhe sintagmat si:zhari, vigma, çeta-çeta, rrfe mizore, lekët, re mizore, t'bardhën Fe, zogu i shkinës, si kokrrat n'shegë, etj., marrin funksionin e poetizmave, pra, të gjuhës poetike që e legjitimon ligjërimin poetik fishtian.

Sa i përket rimës dhe funksionit të saj të paramenduar e të realizuar tek Lahuta e malcis, do të ishte me interes të madh krahasimi i varianteve që ka krijuar autori, sepse aty do të shiheshin qortimet dhe motivet që i kanë nxitur ato, ku pa dyshim do të jetë marrë gjithmonë në konsideratë, krahas ritmit dhe skemës metrike, rima si element i konstruksionit artistik të veprës.

Të përkujtojmë këtu se në disa fragmente të njësive të ndryshme të Lahutës së malcis, Fishta e eliminon krejtësisht rimën, duke iu afruar në ato raste më shumë intonacionit dhe ritmit të këngëve tona kreshnike, për të cilat Gjergj Zheji me të drejtë ka konstatuar se janë në arealin e vargëzimit tonik. Në ato fragmente (letra e carit të Rusisë knjaz Nikollës, kënga e Kaçel Dodës, letra e krerëve shqiptarë të shtatë krajlave dhe mbretit të Stambollës, dyluftimi i Prelës me Vasilin,) vijnë e dalin në plan të parë intonacioni dhe ritmi, duke afirmuar ashtu rrezatime edhe më të mëdha estetike të veprës. Rikthimi i rimës pastaj, kombinimet e ndryshme të saj, pasuria leksikore e fjalëve të rimuara, tingullimi dhe rrezatimi semantik që prodhojnë, ia krijojnë rimës në këtë vepër statusin e kodit rregullues të vargut dhe të njërit nga elementët fundamentalë të strukturës artistike.

Shkruan : Profesor Dr. Milazim Krasniqi

Comments

Popular posts from this blog

Urime Ditëlindjen Babi

  Por, sot është një ditë e veçantë në familjen  tuaj! si të uroni Babin tuaj për një Ditëlindje! 1.“Me pak fjalë po me shumë dashuri! Urime për Babin më të mirë në botë, ne nuk kemi fjalë për me të falenderu për gjithçka qe ke bërë e vazhdon të bësh për ne, ishe mësuesi dhe shoqëruesi jonë gjatë gjithë këtyre viteve ,shpresoj të jesh krenarë me neve, sepse na vërtetë jemi shumë krenarë dhe me fat që kem një babë si ty ,këshillat tua janë si melodia më e ëmbel për neve ,ti je superheroi jonë i parë dhe ashtu vazhdon të mbetesh përherë, Babush fjalë ka shumë po asnjë e duhura për ta shpreh dashurinë dhe mirënjohjen qe kem për ty, thjesht faleminderit për gjithçka! Të paqim përherë, URIME DITËLINDJEN ,gezofsh e festofsh edhe shumë tjera pranë neve ,TË DUAM SHUMË” 2.“Për ditëlindje ti dëshiroj të gjitha të mirat e botës, duke filluar me shëndet, lumturi, dashuri edhe harmoni në jetën tënde. Vazhdo dhe qëndro kështu si je, me plot kuptimin e fjalës je gjithçka për mua.Të duam ne F...

Liqeni i Ujmanit – historia, faktet dhe të dhënat e plota përmes dokumenteve të kohës

  Ndërtimi i liqenit të Ujmanit ka filluar në vitin 1972 në afërsi të fshatit Ujman,nga edhe e ka marrë emrin dhe ka përfunduar në vitin 1977. Hidrocentrali është bërë në vitin 1986, vit në të cilin është kompletuar edhe ndërtimi i pjesës veriore të hidrosistemit. I gjithë ky projekt është realizuar pas miratimit të Ligjit për Ratifikimin e Kontratës mbi Projektin në mes të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) së atëhershme dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, Nr. 777-YU (Ndërtimi i hidrosistemit ‘Ibër” për disa qëllime). Ligji është publikuar në Fletorën Zyrtare të KSAK Nr. 12 datë 26 Prill 1972. Siç mund të lexohet në Fletoren Zyrtare, Kryetar i Kuvendit të KSAK-së, në atë kohë ka qenë Ilaz Kurteshi. Foto: Ballina e Fletorës Zyrtare të KSAK Nr. 12 datë 26 Prill 1972, ku është botuar Ligji Nr. 777-YU. Liqeni i Ujmanit është pjesë e Hidrosistemit “Ibër-Lepenc”, i cili përbën një sistem kompleks të pendave, hidrocentraleve dhe kanaleve të ujitjes. Ky hidrosis...

Urime ditëlindjen Mami

  Urime ditëlindjesh për Mamin ose Nënën në gjuhën Shqipe të gatshme! Gezuar ditëlindjen mami im! 1. “E shtrenjta ime…gëzuar ditëlindjen! Të të them që je mami më e mira në botë, nuk do të bënte aspak çudi sepse cilado nënë e tillë është për fëmijën e saj. Të të them sa shumë të dua, edhe kjo është një gjë shumë normale, çdo fëmijë e do nënën e tij. Ajo që unë nuk do të rresht kurrë së bëri është të të falenderoj për çdo sekondë të jetës tënde që më je dedikuar mua dhe do të lutem që këto sekonda të zgjasin sa më shumë, sepse unë pa ty nuk do të isha kjo që jam dhe jam e sigurt që për sa më shumë kohë të të kem pranë, aq më me vlerë do jenë ditët, muajt, jeta ime. Ti je bekim për këdo që të ka pranë vetes. Në këtë botë, unë nuk kam njohur qoftë edhe një njeri të vetëm të të afrohet për së largu për të gjitha vlerat që ti ke si femër, si bashkëshorte, si nënë, si vajzë, si bashkëpunotore, por mbi të gjitha si NJERI. E di që këto fjalë duken të ekzagjeruara për ata që nuk të njohin, ...